KRYEFAQJA » LAJME » Malta synon vazhdimin e politikës së zgjerimit të BE me Ballkanin

Malta synon vazhdimin e politikës së zgjerimit të BE me Ballkanin

Malta, e cila kryeson Bashkimin Europian për 6 muajt e parë të 2017, publikoi programin e prioriteteve të saj. Në dokumentin prej 48 faqesh, presidenca angazhohet qartësisht për vazhdimin e politikës së zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit dhe Turqinë.
“Presidenca Maltese do të vazhdojë të mbështesë procesin e anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Angazhimi i BEsë siguron që të ruhet vrulli për reformat kyçe. Fuqia transformuese e procesit të zgjerimit nuk mund të nënçmohet. Ne besojmë se është në mënyrë reciproke e dobishme” bëhet e ditur në dokument.
Duke respektuar Agjendën Strategjike të miratuar nga Këshilli i BEsë në Qershor 2014, kur Shqipëria siguroi statusin kandidat, Malta përmbyll programin e përbashkët të tre presidencave të deritanishme të BE-së, pas Holandës dhe Sllovakisë. “Politika e zgjerimit luan rol kyç në formësimin e BE”së, për Presidencën Malteze, e cila, në vijim të qasjes së Komisionit Europian, të publikuar Nëntorin e kaluar, synon një numër iniciativash, për të theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit për zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve. Kjo lidhje konsiderohet e rëndësishme nga presidenca e re e BE-së edhe për shkak të ndryshimit të raportimit të paketës së zgjerimit, që në të ardhmen do të përkojë me raportet e Komisionit për vendet anëtare.
“Në përputhje me qasjen parësore themeltare të Komisionit Europian, e cila i jep përparësi sundimit të ligjit, qeverisjes ekonomike dhe reformës së administratës publike, qëllimi i Presidencës Malteze është të nënvizojë, përmes një sërë iniciativash, rëndësinë që sundimi i ligjit mund të luaj në avancimin e zhvillimit ekonomik tek vendet kandidate dhe potencialisht kandidate. Presidenca Malteze i konsideron këto elemente si kyçe për anëtarësimin e suksesshëm të vendeve të zgjerimit. Duke theksuar këtë lidhje është edhe më e rëndësishme me ndryshimin e raportimit të paketës së zgjerimit, e cila do të publikohet në pranverë, nga viti 2018, për të siguruar një koherencë më të fortë mes paketës dhe procesit të Programit për Reformën Ekonomike. Objektivi i presidencës Malteze është të përforcojë lidhjen dhe efektin e saj të përhapjes në lidhje me dy fushat e tjera, që janë në zemër të procesit të zgjerimit, përkatësisht sundimi i ligjit dhe reforma e administratës publike.”
Me filozofinë e ribashkimit dhe me “idetë për veprim”, shteti më i vogël anëtar i BE-së vëren se në 60 vjetorin e krijimit, Unioni përballet me sfidat më të ashpra, por “e ardhmja e BE-së” pritet të diskutohet më gjerësisht gjatë takimit të krerëve të shteteve dhe qeverive në Romë gjatë muajit Mars, kur Komisioni paraqet dhe propozimin e tij mbi këtë çështje.
E pozicionuar vetëm 300 km larg bregdetit tunizian, Malta do të përqëndrohet tek Migracioni dhe Azili, përfshirë këtu kërcënimet nga terrorizmi dhe radikalizmi; si dhe në tregun e brendshëm të energjisë; në heqjen e barrierave dixhitale, pas atyre roaming; tek çështjet gjinore dhe politikat mjedisore, veçanërisht për zhvillimin e turizmit detar. (Përgatiti Arta Tozaj)