KRYEFAQJA » LAJME » MANÇESTER JUNATID SHPARTALLON FENERBAHÇEN 4-1
paul pogba, manchester united, fenerbahce 4-1, europa league, rtsh.al

MANÇESTER JUNATID SHPARTALLON FENERBAHÇEN 4-1

Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka luajtur të enjten ndeshjet e 3-ta në grupe. Dhe, sikundër ka ndodhur gjatë gjithë këtij sezoni, edhe emocionet e kësaj mbrëmjeje janë përcjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Takimi i përzgjedhur nga transmetuesi publik ka qenë ai më i spikaturi, dueli anglo-turk, midis Mançester Junajtid dhe Fenerbahçesë. Në fakt, fati i kësaj përballjeje midis dy favoriteve të grupit A ka qenë i barazpeshuar në gjysmëorën e tij të parë, por, më pas, kanë shpërthyer vendasit. Kanë qenë dy 11-metërsha të akorduar për ta brenda 3 minutash, në minutën e 32-të dhe atë të 35-të, dhe të shndërruar në gol përkatësisht nga Pogba dhe Marsial, që e kanë vënë Mançester Junajtid në udhëheqje të rezultatit. Pogba do të plotësojë dygolëshin e tij personal në këtë ndeshje, me golin e tretë të “Djajve të kuq”, të realizuar në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Dhe takimi do të përfundojë praktikisht brenda dy minutave të para të pjesës së dytë, kur Lind-gard do të shënojë golin e 4-të të Mançester Junajtid. Goli i vetëm i turqve, i shënuar nga holandezi Van Persi, ka shërbyer thjesht si shembull i tifozerisë së jashtëzakonshme angleze, të cilët e kanë duartrokitur ish-idhullin e tyre.