KRYEFAQJA » LAJME » Mançester – Liverpul në rrjetin RTSH
Mançester - Liverpul në rrjetin RTSH

Mançester – Liverpul në rrjetin RTSH

Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, luan të enjten në mbrëmje ndeshjet e kthimit të turit të saj të 16-shes, prej nga do të dalin edhe 8 skuadrat çerekfinaliste. Midis takimeve të mbrëmjes spikat padyshim derbi britanik midis Mançester Junajtid dhe Liverpulit. Të dy rivalët e synojnë këtë veprimtari si mundësinë e vetme për një trofe, pas një sezoni të varfër në Premier Ligën Angleze. Në takimin e parë, të zhvilluar në “Enfilld Roud”, Liverpuli i drejtuar nga trajneri gjerman Jurgen Klop dominoi përballë “Djajve të kuq”, të cilët ishin në fakt një hije e vetvetes, duke fituar 2-0. Nga një gol për secilën pjesë loje, i mjaftoi Liverpulit për të marrë një fitore, ç’ka i jep shpresë për kualifikim, për më tepër pas një paraqitjeje mbresëlënëse ndaj rivalëve historikë. Sikundër gjatë gjithë këtij sezoni, edhe kjo supersfidë e futbollit evropian do të vijë sonte, duke nisur nga ora 21:05, drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, së bashku me të gjithë golat e 8 ndeshjeve të tjera. Në takimet e para, përveç sfidave Bazel-Sevilja dhe Sparta e Pragës, që u mbyllën në barazim, në të gjitha të tjerat fituan ekipet vendase.