KRYEFAQJA » LAJME » Mandati i deputetit Kokëdhima në Gjykatën Kushtetuese
Mandati i deputetit Kokëdhima në Gjykatën Kushtetuese

Mandati i deputetit Kokëdhima në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë në shqyrtim kërkesën e bërë nga PD e opozitës, e cila po kundërshton vendimin e parlamentit, i cili nuk ka pranuar që çështja e deputetit socialist Koço Kokëdhima të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Opozita pretendon se deputeti Kokëdhima, përmes kompanisë së tij “Abissnet”, ka kryer transaksione, pasi ka marrë mandatin e deputetit, në 150 raste dhe kjo sipas saj, është antikushtetuese.  Zoti Kokëdhima vazhdimisht e ka hedhur poshtë akuzën për shkelje të ligjit. Në prill të këtij vitit, parlamenti me 68 vota kundër dhe 29 pro, rrëzoi kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Kjo është një tjetër kërkesë e opozitës për Gjykatën Kushtetuese.
Eshtë hera e dytë brenda kësaj legjislature, që opozita e djathtë synon heqjen e mandateve për deputetët socialistë. Pas deputetit Kokëdhima, në fokus është vënë nënkryetarja e parlamentit Valentina Leskaj. Sipas opozitës fëmijët e zonjës Leskaj kanë fituar tendera nga fondet buxhetore. Por nënkryetarja e parlamentit thotë se ligji nuk e penalizon.
Legjislaturën e kaluar, me të njëjtat akuza, PD, në atë kohë në maxhorancë, arriti t’i hiqte mandatin e deputetit ministrit aktual të shëndetësisë Ilir Beqja, pavarësisht kundërshtimeve të tij. vendimi u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese.