KRYEFAQJA » LAJME » Manjani: E drejta e ndihmës juridike në Shqipëri është në kolaps
Manjani: E drejta e ndihmës juridike në Shqipëri është në kolaps

Manjani: E drejta e ndihmës juridike në Shqipëri është në kolaps

Të gjithë qytetarët shqiptarë pavarësisht të ardhurave të tyre, kanë të drejtë të marrin ndihmë juridike. Në Shqipëri sipas ministrit të drejësisë Ylli Manjani sistem që është ofruar deri tani ka dështuar.“Ky sistem është në një kolaps total. Praktikisht ai është i dështuar dhe duhet në një kohë sa më të shpejtë një model i ri, projekt i ri” tha zoti Manjani në tryezën e rrumbullakët për “Vendimet Strategjike për mirëfunksionimin dhe financimin e ndihmës juridike në Shqipëri” të mbajtur të mërkurën në Tiranë. Zoti Manjani deklaroi vullnetin e plotë për të bërë këtë ndryshim. “Është thënë shpesh, por unë do ta bëjë një realitet, krijimin e një klinike juridike, që do i ndihmoj të gjithë qytetarët për të ditur rrugën ligjore që duhet të ndjekë një çështje juridike. Është thënë shpesh, por unë jam i bindur që të gjithë qytetarët që kanë probleme ligjore duhet të kenë informacionin, apo të paktën ndihmën e duhur që ata të marrin iniciativën e të ngrenë një çështje” tha ministri shqiptar i drejtësisë Ylli Manjani. “Përpara se të mendojmë se cili do të jetë gjyqtari, duhet të merremi me qytetarin, pasi më së pari reforma në drejtësi duhet të jetë në favor të qytetarit, që të gjithë të kenë aksesin e duhur në drejtësi” shtoi ai.
Në Shqipëri, e drejta për të marrë ndihmë ligjore falas për çështje civile dhe administrative për individët që nuk kanë mundësi financiare të paguajnë, është miratuar në vitin 2008. Aktualisht janë katër organizata që mundësojnë ndihmë juridike falas. Sipas një studimi të Bankës Botërore, 32 për qind e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri dhe e drejta legale duhet t’i ofrohet edhe kësaj pjese të shoqërisë.