KRYEFAQJA » LAJME » Manjani : “Ne duam transparencën, nuk duam investime jashtë linjës së ligjit”
Manjani zyrtarëve të drejtësisë: Distancohuni nga veprimet korruptive

Manjani : “Ne duam transparencën, nuk duam investime jashtë linjës së ligjit”

Shpërthimi i skandalit të “Panama Papers” duket se i ka detyruar autoritetet shqiptare të marrin masa për të rritur transparencën për kompanitë e huaja që duan të investojnë në Shqipëri. “Ne duam transparencën, nuk duam investime jashtë linjës së ligjit, apo sipërmarrësve që kërkojnë t’i fshihen ligjit. “Të gjitha kompanitë që duan të investojnë në territorin shqiptarë duhet të pasqyrojnë të gjithë listën e aksionerëve” tha zoti Manjani. Sipas tij kjo nuk është shpikje jona, por një gjetje e qeverisë gjermane. “Ne duam ta adaptojmë dhe ta përshtatim edhe për vendin tonë. Normalisht ne do ta komunikojmë këtë edhe me Ministrin e Financave, por duam që të ndërtojmë një ligj, ku të gjitha kompanive, vendase apo të huaja, që duan të ushtrojnë biznes në territorin shqiptarë të bëjnë transparente listën e aksionerëve” tha ministri shqiptar i drejtësisë Ylli Manjani. Drafti do të jetë shumë shpejtë gati” shtoi ai.
Deklaratat e zoti Manjani erdhën ndërsa autoritetet janë angazhuar të hetojnë pastrimin e parave që vijnë nga aferat korruptive, fshehja e taksave nga kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale. Sipas mediave nga të dhënat paraprake të “Panama Papers” rezulton se në Shqipëri janë 2 kompani, 3 perfitues dhe 22 pronarë aksionesh në parajsën fiskale panameze. Pas të dhënave të para, opinioni po pret me vëmendje të shumëfishuar të mësojë emrat e të implikuarve, pesha e të cilëve mund të ndikojë në zhvillimet politike në vend.