KRYEFAQJA » LAJME » Manjani për reformën në drejtësi: Na është bllokuar puna, kemi nevojë për ligje të reja
manjani

Manjani për reformën në drejtësi: Na është bllokuar puna, kemi nevojë për ligje të reja

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani bën apel për miratimin sa më të shpejtë të draftit të reformës në drejtësi. “Na është bllokuar puna, kemi nevojë për ligje të reja. Duhet realisht të nisim reformën në sistemin gjyqësor”. Pa dashur të bëjë komente mbi vendimin e marrë nga KLD një ditë më parë për padinë penale ndaj ministirit Tahiri, Manjani sqaroi arsyet e mos pjesëmarrjes së tij në mbledhjen e KLD-së, ku u votua pro dërgimit në prokurori të padisë penale ndaj ministrit të Brendshëm. “Nuk mora pjesë në mbledhjen e KLD-së, se kam qenë jashtë shtetit. Nga unë nuk do të dëgjoni asnjë koment për vendime gjyqësore. Ky është standard kushtetues. Ministrit të Drejtësisë nuk i lejohet. Nuk kam ndërmend të ligjëroj politikisht. Detyra kushtetuese e çdo gjykatësi është të gjykojë dhe të dënojë atë person ndaj të cilit ka prova dhe të lirojë cilindo ndaj të cilit nuk ka prova,” tha Manjani. Lidhur më interesin e medias për të dhënë komentin e tij mbi arrestimin e kreut të Bashkisë Kavajë, Manjani nuk pranoi të japë komente. “Kjo është një çështje konkrete që po e shqyrton gjyqësori dhe prokuroria, të cilët kanë mbështetjen e Ministrit të Drejtësisë, për aq kohë sa bëjnë punën në bazë të Kushtetutës dhe ligjit”. Gjithashtu, Ministri Manjani bëri me dije për gazetarët se në bazë të Kushtetutës dhe ligjit aktual, Ministri i Drejtësisë është autoriteti i vetëm përgjegjës që parashtron para Këshillit të Lartë të Drejtësië procedim disiplinor ndaj çdo gjykatësi.
“Komente publike mbi gjyqtarë, mbi sjellje mbi vendime, unë nuk kam bërë dhe nuk bëj. Ky është standardi im. Unë nuk jam komentues apo analist. Ditën që nuk do të jem në zyrën e shtetit apo detyrën e ministrit, mbase mund ta bëj edhe më mirë punën e analistit apo komentuesit”, u shpreh ndër të tjera ministri Manjani.