KRYEFAQJA » LAJME » Manjani peruron klinikën ligjore falas

Manjani peruron klinikën ligjore falas

Qytetarët do të kenë nga sot në shërbim të tyre një zyrë ku do të marrin konsult falas në lidhje me procedurat ligjore apo administrative. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani peruroi atë që do të njihet ndryshe si Klinika Ligjore, e cila do të funksionoje si një strukture e posaçme që do të ofroje shërbim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarit. Kjo klinikë do t’ju vijë në ndihmë të gjithë atyre qytetarëve që nuk kanë aftësi financiare që të marrin një këshillë ligjore me pagesë nga shërbimet private, ndërsa bëri me dije se do të përpiqet për hapjen e zyrave të ngjashme pranë çdo rrethi gjyqësor ku ka gjykata.

Ministri Manjani u shpreh se: “ M’u desh 6 muaj kohë përveç punës së përditshme, që të çel sot këtë zyrë, e cila quhet Klinika Ligjore, për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për të marrë shërbime ligjore falas, për të marrë këshilla ligjore falas, me përparësi, siç i trajton legjislacioni shqiptar. Në radhë të parë pensionistët, të papunët, invalidët, të gjithë shtresat e margjinalizuara që kanë që kanë një status ligjor dhe që nuk kanë aftësi financiare që të marrin një këshillë ligjore me pagesë nga shërbimet private. Kjo është zyra e parë shtetërore e cila financohet nga Komiteti Shtetëror për Ndihmën Juridike, për cilindo qytetar nga këto kategori që vjen në Ministrinë e Drejtësisë për të marrë një informacion ligjor, për të marrë një këshillë ligjore, apo qoftë edhe për të bërë një padi.”