KRYEFAQJA » LAJME » Manjani propozon faljen e të dënuarës për vrasje
Manjani propozon faljen e të dënuarës për vrasje

Manjani propozon faljen e të dënuarës për vrasje

Në gusht të vitit 2012, opinioni shqiptar u trondit nga një ngjarje e rëndë. Në një fshat në afërsi të Tiranës, një 18 vjeçare vrau një 45 vjeçar, baba i pesë fëmijve. Vajza Nazmie Visha, fëmijë i një familjeje të varfër, nuk e quante veten vrasëse, por viktimë të njeriut të cilin ajo e konsideronte si përdhunuesin dhe shfrytëzuesin e saj prej 4 vitesh. Mes opinioneve dhe reagimeve të shumta për këtë ngjarje, gjykata e dënoi Nazmie Vishën me 10 vite heqje lirie. Afro katër vite më vonë ministri i drejtësisë Ylli Manjani i ka dërguar Presidentit të Republikës propozimin për faljen e të dënuarës Nazime Visha. Sipas propozimit të zotit Manjani, kriteret ligjore për faljen e këtij rasti janë përmbushur.
Historia e Nazmie Vishës rivjen ndërsa opinionit shqiptar i është servirur ditët e fundit një tjetër histori tronditësve të 15 vjetëve më parë. Në atë kohë një ish zyrtar i lartë i shërbimit inteligjent shqiptar vrau për motive të dobta ish të dashurën e tij dhe nënë e saj. Ai sot po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Shqipëri, pasi më parë kishte tentuar të fshihej me një identitet të rremë në SHBA. I dënuari në një rrëfim të gjatë televiziv, ka pranuar fajin dhe ka shprehur pendesën e thellë.
Që pas vitit 1995 kur Shqipëria hoqi dënimin me vdekje, si kusht për anëtarësismin në Këshillin e Europës, në kohë të ndryshme veçanërisht pas trazirave të dhunshme të vitit 1997, ka patur mjaft debate dhe kërkesa që ligji i dënimit me vdekje të rikthehej veçanëritsht për disa lloje krimesh. Por të dy ngjarjet e fundit, duket se do të kthejnë në një tjetër sens debatin për ashpërsinë e ligjit shqiptar për krimin e vrasjes, atë të zbutjes dhe faljes së dënimeve.