KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, 15 të vdekur dhe 6 të humbur nga përmbytjet
Maqedoni, 15 të vdekur dhe 6 të humbur nga përmbytjet
EPA/GEORGI LICOVSKI

Maqedoni, 15 të vdekur dhe 6 të humbur nga përmbytjet

15 persona kanë humbur jetën dhe 6 të tjerë rezultojnë të zhdukur, pas një rrebeshi të papritur që përfshiu territorin e Maqedonisë, kryesisht Shkupin dhe rrethinat e tij gjatë së shtunës, njoftoi ministria e brendshme maqedonase. “Deri sot në orën 8:30, ne kemi zbuluar 15 viktima. Ekipet tona ende po bëjnë kërkime për viktima të mundshme të tjera”, ka thënë zëdhënësja e policisë, Liza Bendevska. Viktimat janë nga Haraçina, Hasanbegu dhe Stajkovci, si vende më të goditura nga stuhia. Banorët e lagjes së Hasanbegut, kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar gjatë vërshimeve duke thënë se kjo nuk ju kishte ndodhur asnjë herë më parë. Ata thonë se me vite të tëra kanë kërkuar rregullimin e kanalizimit për të shmangur situata të tillë, por se fatkeqësisht nga autoritetet kompetente nuk është ndërmarr asgjë në këtë drejtim. Gjatë natës të së shtunës, por edhe gjatë së dielës, ekipet e Shtabit për Siguri dhe Shpëtim të qytetit të Shkupit po kanë ndërhyrë për të pastruar rrugët e bllokuara nga reshjet e shiut. “Për momentin të gjitha ekipet e Shtabit janë në terren dhe po punojnë për ta lehtësuar komunikacionin”, theksohet në komunikatën për media nga qyteti i Shkupit.