KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, administrata gjyqësore kërcënon me grevë urie

Maqedoni, administrata gjyqësore kërcënon me grevë urie

Administrata gjyqësore në Maqedoni, ka kërcënuar me grevë urie nëse nuk përmbushen kërkesat për kushte më të mira në punë, rritje të pagave për 35 %, kompensime për kohën shtesë në punë dhe trajtim të njëjtë si edhe gjykatësit. Kërkesat janë paraqitur që në dhjetor të vitit të kaluar, por deri tani, përveç premtimeve, asgjë nuk është ndërmarrë për realizimin e tyre. Punonjësit thonë se po injorohen prej vitesh sikur pushteti gjyqësor të varet vetëm nga gjykatësit, por jo edhe nga mijëra punëtorë të tjerë që janë në shërbim të këtij pushteti, që nga dita në ditë po e humb kredibilitetin. Kreu i sindikatës, Pece Grujevski, i ka bërë thirrje drejtuesve të Qeverisë t’i pranojnë kërkesat para se të ndërmarrin hapin më radikal, atë të grevës së përgjithshme. Nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e sindikatës, janë prononcuar nëpërmjet një deklarate me shkrim. “Ne nuk kemi kompetencë ligjore që ta zgjidhim këtë çështje. Kompetentë janë Këshilli Gjyqësor dhe Ministria e Financave, problemi qëndron te buxheti”, thuhet në përgjigjen e dikasterit të Drejtësisë. Nga Këshilli Gjyqësor kanë vlerësuar se të drejtat e punonjësve të administratës gjyqësore, janë të qëndrueshme, por për realizimin e tyre nevojiten edhe ndryshime ligjore që janë në kompetencë të Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë. Njohësit e çështjeve juridike ndërkohë thonë se institucionet duhet të kujdesen për të gjithë punonjësit e administratës, përfshirë edhe ata të gjykatave që duhet të jenë të barabartë me pjesën tjetër. Protestat në administratën gjyqësore vijnë në kohën kur pushteti gjyqësor po përballet me kritika të shumta për mungesë të pavarësisë, joefikasitet, dhe vënien në shërbim të partive në pushtet.