KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, Ahmeti: Vendimi i Gjykatës, hapi i parë drejt zgjidhjes së krizës
ahmeti

Maqedoni, Ahmeti: Vendimi i Gjykatës, hapi i parë drejt zgjidhjes së krizës

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin mundësohet rikthimi i punës së Parlamentit dhe me këtë edhe anulimi i zgjedhjeve të 5 qershorit në Maqedoni. Në një postim në facebook Ahmeti e quan këtë vendim një hap të domosdoshëm për zgjidhjen e krizës politike në vend. “Përshëndes vendimin e sotëm e të drejtë të Gjykatës Kushtetuese që mundëson rikthimin e Parlamentit si hap i parë dhe i domosdoshëm për zgjidhjen e krizës së rëndë politike. Ftoj të gjithë liderët, mediat, si dhe shoqërinë civile që të veprojnë me përgjegjësi të plotë përballë gjendjes në të cilën ndodhet vendi dhe të kontribuojnë për rikthimin e sigurisë, stabilitetit si dhe të përkushtohemi fuqishëm për një axhendë serioze reformuese”, shkruan Ahmeti. Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë sot njëzëri vendosi që ta rishqyrtojë kushtetutshmërinë e dy vendimeve lidhur me shpërbërjen e Parlamentit dhe mori vendim të përkohshëm me të cilin ndalohen të gjitha veprimet që rrjedhin nga marrja e këtyre vendimeve, që do të thotë edhe se duhet të ndërpriten të gjitha veprimet lidhur me organizimin e zgjedhjeve më 5 qershor.