KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, ikën Gruevski pritet Dimitriev
Maqedoni, ikën Gruevski pritet Dimitriev

Maqedoni, ikën Gruevski pritet Dimitriev

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski dorëzoi të premten dorëheqjen te kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski. “Sot, më është dorëzuar dorëheqja e kryetarit të qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Duke patur parasysh detyrimet e ndërmarra politike të liderëve të partive më të mëdha politike në Republikën e Maqedonisë në pajtim me Marrëveshjen e 2 Qershorit 2015 dhe Protokollit të 15 Korrikut 2015, si kryetar i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë do të ndjek rezultatin e bisedave të sotme me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi zoti Veljanoski. ”Shfaq shpresën se liderët politikë të Republikës së Maqedonisë do të arrijnë t’i tejkalojnë sfidat midis tyre në funksion të zhvillimit të mëtejshëm demokratik të Republikës së Maqedonisë”, shtoi ai.

Ndërkaq koordinatori i grupit, parlamentari i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski ka konfirmuar për mediat se Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE ka mbështetur vendimet e Nikolla Gruevskit në drejtim të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 24 prillit, si dhe vendimin që ai në zgjedhjet e ardhshme të jetë kandidat për kryeministër i VMRO-DPMNE-së, si dhe drejtues i fushatës zgjedhore. Dimovski ka thënë për mediat se partia e tij nuk ndjehet e shqetësuar se Prokurorja Speciale do mund të ngrejë ndonjë aktpadi kundër Gruevskit gjatë periudhës, përderisa ai nuk do të jetë kryeministër.

Ndërkohë pritet që kreu i ri i qeverisë teknike maqedonase që do ta çojë vendin në zgjedhjet e parakohshme të 24 prillit, të jetë 45 vjeçari Emil Dimitriev, sekretari i përgjithshëm VMRO-DPMNE-së. Dimitriev është diplomuar në fakultetin filozofik në Shkup në Institutin për Sociologji. Që nga vitit 2011 ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa aktualisht është zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, funksion që e ka kryer nga viti 2008.