KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, interpelanca për Ivanov hyn në procedurë parlamentare
Gjorge-Ivanov

Maqedoni, interpelanca për Ivanov hyn në procedurë parlamentare

Më shumë se 50 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë kanë nënshkruar nismën e deputetëve të LSDM-së opozitare për llogaridhënien e presidentit Gjorge Ivanov për vendimin për falje të 56 personave, përfshirë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, ish-ministra dhe personalitete tjera për të cilët po zhvillohen hetime nga Prokuroria Speciale Publike dhe nëpër gjykata. Edhe pse nisma është e mbështetur nga Bashkimi Demokratik për Integrim, tashmë votat janë të mjaftueshme për të hyrë në procedurën parlamentare, por për të konstatuar përgjegjësinë e presidentit Ivanov duhet të ketë një shumicë prej 2/3-ash, ose 82 vota nga gjithsej 123 deputetë. Duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE ka 59 deputetë, është pothuajse e pabesueshme se kjo shumicë do të arrihet. Megjithatë, duke pasur parasysh nismën, Ivanovi do të duhet të dëgjojë vërejtjet e deputetëve dhe për të njëjtat duhet të përgjigjet, se gjatë interpelancës, ai duhet të paraqitet personalisht në seancë dhe nuk mund të dërgojë zëvendësin e tij apo të njoftojë me shkrim.