KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve publikon listën me votuesit e kontestueshëm
kshz

Maqedoni, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve publikon listën me votuesit e kontestueshëm

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka nisur me zbatimin e marrëveshjes së katër partive politike për përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Në faqen zyrtare të këtij institucioni janë publikuar emrat e rreth 40 mijë votuesve, shtetas të Maqedonisë, identiteti i të cilëve ishte kontestuar. Ata gjatë 25 ditëve të ardhshme duhet të paraqesin dëshmi mbi identitetin e tyre, në të kundërtën pas këtij afati humbin të drejtën e votës. “Është fakt se personat të cilët nuk do të paraqiten në afatin kohor prej 25 ditëve, nuk do të regjistrohen në listën zgjedhore, mirëpo këta persona kanë edhe një mundësi tjetër, pra pasi të shpallen zgjedhjet dhe të paraqitet lista në shqyrtim publik, ata kanë mundësi të regjistrohen”, thotë nënkryetari i Komisionit Shetëror Zgjedhor, Rexhep Prekopuca, duke bërë të ditur se në bazë të marrëveshjes së arritur, forma e këtillë e verifikimit të votuesve do të jetë e vlefshme vetëm gjatë këtij cikli zgjedhor, pavarësisht se kur do të mbahen ato. Gjithashtu në faqen zyrtare të KSHZ-së gjenden edhe emrat e rreth 170 mijë votuesve të tjerë që jetojnë jashtë vendit. Ata nuk e humbin të drejtën e votës, por emrat e tyre gjendet në një pjesë të veçantë të listës, që të mos keqpërdoren në ditën e votimit. Me mbylljen e këtyre detyrimeve, por edhe të disa të tjerave më pak problematike, si dhe me zgjedhjen e anëtarëve, KSHZ-ja pretendon se ka kryer detyrimet e saj të marrëveshjes, në rast se nuk paraqiten probleme gjatë kontrollit të 40 mijë votuesve të kontestueshëm. Por, ekspertët njohësit e kësaj sfere, thonë se lista zgjedhore nuk është mbyllur dhe se shumë probleme do të jenë edhe më tej të pranishme. Regjistrimi i popullsisë për herë të fundit është mbajtur në vitin 2001, ndërsa pas dhjetë viteve apo në vitin 2011 kishte dështuar pikërisht për shkak të dallimeve të shumta mes anëtarëve shqiptarë dhe maqedonas lidhur me regjistrimin e shtetasve të Maqedonisë që jetonin përkohësisht jashtë vendit.