KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, kompetencat e kufizuara të ministrit të Brendshëm bllokojnë bisedimet
maq

Maqedoni, kompetencat e kufizuara të ministrit të Brendshëm bllokojnë bisedimet

Kufizimi i kompetencave të Ministrit të Punëve të Brendshme me ndryshimet e fundit ligjore, ka bllokuar bisedimet mes partive politike për kapërcimin e krizës politike. Në fakt, me ndryshimet në Ligjin për policinë dhe punë të brendshme, ministri do të ketë kompetenca të kufizuara, apo nuk do të mund të caktojë kryeshefat e njësiteve policore, pasi zgjedhja e tyre do të bëhet nga drejtorët e drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim dhe të drejtorisë për siguri publike, të cilët do të zgjidhen nga qeveria së bashku me sekretarin shtetëror, i cili gjithashtu për punën e tij organizative në ministri, do të përgjigjet para qeverisë dhe jo ministrit të Brendshëm. Janë bërë edhe ndryshime tjera që i pamundësojnë ministrit formimin e një ekipi për të udhëhequr me këtë dikaster, që në rast të arritjes së marrëveshjes mes partive për qeverinë kalimtare, do të udhëhiqej nga Lidhja Social-Demokrate, që është në opozitë. Nga LSDM-ja, publikisht nuk prononcohen, por thonë se thelbi i ndryshimeve qëndron pikërisht në zhveshjen e ministrit të Brendshëm nga kompetencat, në momentin që ky dikaster do të drejtohej nga kuadri i saj. Ngecjen e bisedimeve e ka konfirmuar edhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, por pa saktësuar se për cilën pikë kontestuese bëhet fjalë. “Për shumë çështje është arritur marrëveshje, por ka mbetur edhe një çështje për të cilën nuk është arritur zgjidhje. Për fat të keq, palët në bisedime nuk ishin në gjendje të arrijnë marrëveshje, por shpresoj se do të vazhdojmë sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka deklaruar ambasadori evropian, Orav, i cili së bashku me ambasadorin e SHBA-së, Jess Baily, po ndërmjetësojnë bisedimet mes katër partive politike. Njohësit e çështjeve politike, thonë se pas ndryshimeve të tilla, fshihen edhe qëllime tjera të pushtetit, që para së gjithash kanë të bëjnë me listat zgjedhore, pastrimin e saj, korrupsionin dhe dukuri të tjera negative gjatë cikleve zgjedhore. Partitë, siç kanë bërë të ditur përfaqësuesit e tyre, parimisht kanë rënë dakord për modalitetet e pastrimit të listës zgjedhore dhe reformat në media, përmes emërimit të një këshilli të posaçëm për mbikëqyrjen e raportimit të mediave, por, sipas opozitës, të gjitha pikat e dakorduara nuk do të kishin efekt, nëse nuk tërhiqen ndryshimet e bëra në Ligjin për punë të brendshme.