KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, kriza politike, ndërpriten bisedimet mes partive

Maqedoni, kriza politike, ndërpriten bisedimet mes partive

Katër partitë nënshkruese të Përzhinës në Maqedoni ndërprenë një ditë më parë bisedimet, duke kërkuar kohë për konsulta shtesë. Ambasadori i BE-së, Aivo Orav tha se janë disa çështje të hapura për të cilat partitë kërkojnë më shumë kohë. “Ne mbaruam bisedimet sot. Katër partive u nevojitet më shumë kohë për konsultime brendapartiake dhe gjithashtu me Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Koha është para. BE-ja është në gatishmëri t’ju ndihmojë me bisedimet”, u shpreh Aivo Orav, Ambasador i BE. Ambasadori i SHBA-së, Xhes Bejli, tha se po punohet intensivisht në zgjidhjen e krizës politike përmes zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës. Edhe partitë kanë komentuar ciklin e ri të bisedimeve për Përzhinën. Zëdhënësi i LSDM, Petre Shilegov akuzoi VMRO-DPMNE se po i shmanget zgjedhjeve të drejta dhe të lira. Nga VMRO-DPMNE theksojnë se arsyeja kryesore për ndërprerjen e takimit ndërmjet përfaqësuesve të katër partive politike ka qenë çështja e mediave. Nënkryetarja Teuta Arifi theksoi se BDI është e angazhuar në mënyrë aktive që të japë kontributin për dalje nga kriza. Edhe nga PDSH theksuan se po vazhdojnë konsultat brendapartiake për të shprehur më pas kërkesat e tyre në bisedimet e radhës për Përzhinën. Askush nga katër partitë nuk tregoi se kur do të vazhdojë raundi i radhës i bisedimeve, ku janë hapur çështjet si: pastrimi i listës zgjedhore, statusi i RTVM-së, zgjedhja e anëtarëve të Agjencisë për Shërbime Mediale Audio dhe Audiovizuale.