KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, kryetari i LSDM, Zaev: Zgjedhje në nëntor nëse plotësohen kushtet
Zoran Zaev

Maqedoni, kryetari i LSDM, Zaev: Zgjedhje në nëntor nëse plotësohen kushtet

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare mund të mbahen në nëntor, nëse paraprakisht plotësohen kushtet e parapara me marrëveshjen e Përzhinës që parashikon zgjidhjen e krizës së rëndë politike në Maqedoni, ka deklaruar kryetari i Lidhjes Social Demokrate të opozitës, Zoran Zaev. Ai thotë se pa plotësimin e dy kushteve kryesore, pastrimin e Listës zgjedhore dhe reformat në media, data e zgjedhjeve nuk do të kishte asnjë rëndësi. Lideri opozitar thotë se funksionimi normal i Prokurorisë speciale, që po heton dhjetëra zyrtarë të lartë për vepra të rënda penale, ka rëndësi të jashtëzakonshme për zgjidhjen e krizës politike. Sipas tij, kriza nuk mund të quhet e mbyllur pa pasur një epilog gjyqësor për të gjithë zyrtarët e përfshirë në krime, e që dolën në sipërfaqe nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve. Zaev thotë se për të fshehur krimet, pushteti po bën gjithçka për të mbajtur peng punën e Prokurorisë, e që dëshmohet edhe me nismën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së formimit të saj në Kuvend. Vendimi i opozitës për të bojkotuar Kuvendin dhe protestat që po mbahen prej tre muajsh nga sektori civil, vlerësohen nga njohësit e çështjeve politike, si përpjekje e opozitës për formimin e një Qeverie me bazë të gjerë, apo Qeveri të unitetit, para se të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare fillimisht ishin parashikuar për më 24 prill të këtij vit, por u shtynë për në 5 qershor, për shkak të mospërmbushjes së kushteve kryesore. Por, plotësimi i tyre nuk u arrit as në datën e dytë që pas presioneve të opozitës dhe rekomandimeve të bashkësisë ndërkombëtare sërish u anulua, duke e mbajtur të pazgjidhur krizën, e cila ka nisur që nga shkurti i vitit të kaluar, kur opozita publikoi qindra biseda të përgjuara të zyrtarëve, për të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari të shumta kriminale. Pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga pushteti, duke i quajtur tentim të opozitës për rrëzimin e Qeverisë me ndihmën e shërbimeve sekrete nga jashtë.