KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, Kuvendi i hap rrugën anulimit të faljeve të Ivanov
maq parl.

Maqedoni, Kuvendi i hap rrugën anulimit të faljeve të Ivanov

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ndryshimet në Ligjin për falje, të cilat i hapin rrugën presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov, të tërheqë vendimin e para një muaji për faljen e mbi 50 zyrtarëve të akuzuar për vepra të rënda penale. Ndryshimet e miratuara vetëm me votat e partive në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI parashohin dy mundësi, që presidenti të tërheqë vendimin për individët e falur, apo që këta të fundit të kërkojnë nga presidenti anulimin e vendimit për faljen e tyre. Miratimi i ndryshimeve kaloi pa debat, meqë saanca u bojkotua nga partitë opozitare, të cilat i vlerësuan ndryshimet e miratuara si selektive. Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev ka thënë se propozimi i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe VMRO-së, nuk është i plotë pasi presidentit nuk i hiqet mundësia që sërish të sjellë vendime të tilla. Vendimi i presidentit për faljen e zyrtarëve ishte miratuar më 12 prill, gjë që ka përshkallëzuar edhe më shumë krizën politike, me protesta dhe masa të tjera kundërshtuese të organizuara nga sektori civil. Akti i presidentit Ivanov është kundërshtuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar, i cili në vazhdimësi ka kërkuar anulimin e plotë të vendimit, duke e quajtur si rrënues të marrëveshjes politike, por edhe të sistemit të drejtësisë në Maqedoni.