KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme
maqed, parl

Maqedoni, Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme

Kryetari Kuvendit, Trajko Veljanovski ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme, në të cilët pritet të vendoset për anulimin e datës së zgjedhjeve të caktuara për 5 qershor. Ndërkohë, BDI ka paraqitur një nismë për ndryshimin e kodit zgjedhor që parasheh anulimin e datës së zgjedhjeve, por pa kërkuar një datë të re për mbajtjen e tyre. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për pezullimin e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit, shpalljen e zgjedhjeve më 5 qershor, si dhe të gjitha vendimet tjera të miratuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në njoftimin me shkrim të kryeparlamentarit Veljanovski, thuhet: “Dua të shpreh bindjen time se zhvillimi i mëtejshëm i proceseve demokratike në Maqedoni mund të realizohet në Kuvendin e Maqedonisë prandaj ftoj të gjithë deputetët që pavarësisht përcaktimit politik të marrin pjesë aktive në punimet e Kuvendit”.Nisma e Bashkimit Demokratik për Integrim ka pasuar vendimin e VMRO-DPMNE-së, së Nikolla Gruevkit që e vetme të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit. Opozita maqedonase e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, e Zoran Zaevit dhe dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH kishin vendosur bojkotin e zgjedhjeve për shkak të mos përmbushjes së kritereve të parapara me marrëveshjen politike të vitit të kaluar. Nga Lidhja Social Demokrate thonë se vendimi i gjykatës krijon një përshtypje se gjoja po hapen dyert për zgjidhjen e krizës. Sipas LSDM-së, vendimi i gjykatës edhe njëherë konfirmon se “vendimet e gjykatës i shkruan lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski”. Opozita ka përsëritur kërkesën kryesore të saj për anulimin e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve të inkriminuar, shtyrjen e zgjedhjeve dhe caktimin e tyre vetëm pasi të jetë përmbushur kriteret për zgjedhje të lira dhe demokratike.