KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, marrëveshja politike të arrihet deri në fund të javës, përndryshe protesta
maq

Maqedoni, marrëveshja politike të arrihet deri në fund të javës, përndryshe protesta

Liderët e partive politike në Maqedoni, duhet të arrijnë deri në fund të javës marrëveshje për disa nga çështjet kryesore të krizës politike, në të kundërtën mund të radikalizohen protestat e shoqërisë civile, e cila 19 qershorin e ka vendosur si afat të fundit për plotësimin e kërkesave të saj. Garantimi i punës së Prokurorisë Speciale në ndjekjen e zyrtarëve që po hetohen për vepra të rënda penale, mosndjekja e aktivistëve që po protestojnë për një drejtësi të pavarur, zgjedhjet e lira dhe reformat në media janë disa kërkesat kryesore të atij që njihet si “revolucioni shumëngjyrësh”, kërkesa këto që mbështeten edhe nga partia më e madhe e opozitës, Lidhja Social Demokrate. Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësuesit e partive politike kanë bërë edhe një përpjekje për afrimin e qëndrimeve, por ende pa ndonjë epilog konkret. “Ne, konsiderojmë se duhet të plotësohen të gjithë kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike, që nuk do të ishin një përsëritje e zgjedhjeve të kaluara kriminale. Ne, duhet t’i japim shansin qytetarëve që ata të vendosin se kush duhet të udhëheqë me shtetin dhe jo këtë ta bëjë qeveria”, ka deklaruar Radmilla Sheqerinska nga LSDM-ja, sipas së cilës, partitë duhet të bëjnë çmos që të mos kalohet nga njëra në një krizë tjetër politike. Nga VMRO DPMNE mbeten në qëndrimin se para se të takohen liderët e partive duhet të ketë një axhendë për çfarë duhet të të bisedohet. Kryeministri Emil Dimitriev ka përsëritur deklaratën e kryetarit të VMRO-së, Nikolla Gruevski. Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së të pranishëm në takimin e radhës nuk kanë dashur të japin detaje për rrjedhën e bisedimeve, por janë shprehur optimist se marrëveshje mund të ketë. Partitë shqiptare BDI dhe PDSH, që po ashtu ishin të pranishme në bisedime nuk kanë komentuar pozicionet e tyre.