KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, Parlamenti voton kundër shkarkimit të presidentit Ivanov

Maqedoni, Parlamenti voton kundër shkarkimit të presidentit Ivanov

Parlamenti i Maqedonisë ka refuzuar kërkesën e opozitës për hapjen e procedurës së shkarkimit të presidentit, Gjorge Ivanov, pas disa javëve protestash kundër tij. Pas një jave debatesh, mbrëmë ligjvënësit dështuan të arrijnë votat e nevojshme për ta mbështetur procedurën në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë. Socialdemokratët opozitarë kërkuan shkarkim pas vendimit kundërthënës të Ivanov, për amnistinë e dhjetëra zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion. Kjo amnisti ka shkaktuar protesta në rrugë dhe dënim ndërkombëtar. Më vonë amnistia është tërhequr. Kërkesa në Parlamentin e Maqedonisë ishte mbështetur, po ashtu, edhe nga partneri në koalicionin qeveritar, partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim.