KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, partitë i rikthehen dialogut për zgjidhjen e krizës politike
maqedoni

Maqedoni, partitë i rikthehen dialogut për zgjidhjen e krizës politike

Javën e ardhshme liderët e katër partive kryesore në vend pritet t’i rikthehen dialogut për zgjidhjen e krizës politike. Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, thotë se janë plotësuar të gjitha kushtet për një takim të ri liderësh dhe bën thirrje që takimi të mbahet sa më parë. “Është e domosdoshme mbajta e takimit të liderëve apo rikthimi i dialogut politik me qëllim që sa më parë të merren vesh dhe të plotësojnë kushtet që Republika e Maqedonisë, të zbatojë zgjedhje sa më parë dhe ato të jenë korrekte, të lira dhe demokratike”, deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së. LSDM-ja i ka bërë thirrje Gjykatës Penale që të prononcohet urgjentisht për kushtetuteshmërinë e Ligjit për Prokurorinë Speciale. “Qytetarët e dinë se Gjykata Kushtetuese vetëm brenda 5 ditëve ka ngritur procedurë dhe vetëm për 7 ditë ka sjellë vendimin për nismën e BDI. Kurse për më shumë se 8 muaj nuk ndërmerr asgjë rreth iniciativës për Ligjin e PSP-së dhe e mban peng gjyqësorin dhe sundimin e së drejtës. Kjo është e patolerueshme. Askush nuk duhet të jetë mbi shtetin e së drejtës”, tha Shilegov. Zëdhënësi i LSDM-së, komentoi edhe vendimin e Gjykatës Penale për të mos vendosur masa kujdesi kundër ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Me këtë rast, Shilegov inkurajoi të gjithë të punësuarit në gjykatën penale që të fillojnë të zbatojnë drejtësinë, pasi nga vendimet e tyre varet ardhmëria e vendit.