KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, partitë politike merren vesh për ligjet
partite

Maqedoni, partitë politike merren vesh për ligjet

Në Maqedoni, partitë politike parimisht arritën marrëveshje rreth përmbajtjes së të gjitha ligjeve që duhet të miratohen në kuvend si rezultat i Marrëveshjes politike të 20 korrikut. Pas bisedimeve maratonë që u zhvilluan në Ministrinë e Drejtësisë, VMRO dhe LSDM konfirmuan se janë finalizuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mediat, Qeverinë kalimtare dhe Ministrinë e Brendshme. Sipas Nikolla Todorov nga VMRO-ja, ligjet së shpejti do të gjenden përpara deputetëve për t’u miratuar në afatin e parashikuar me Marrëveshjen e fundit politike. Megjithatë sipas Radmilla Sheqerinskës nga LSDM-ja, ndryshimet në ligjin për media nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për sferën mediatike. Sipas Sheqerinskës, ligji i propozuar më herët nga eksperti belg Piter Vanhojte përbënte zgjidhje më të mirë për mediat. Në bazë të Marrëveshjes politike, reformat në media parashikojnë formimin e një trupi rregullator i cili do të monitorojë mediat 100 ditë para zgjedhjeve. Ky trup do të përbëhet nga 5 anëtarë. Secila parti do të propozojë nga një, ndërsa anëtari i pestë do të emërohet me konsensus nga të gjitha palët. Gjithashtu LSDM-ja do të emërojë kryeredaktorin e shërbimit publik. Nga ana tjetër Qeveria teknike do të formohet 100 ditë përpara zgjedhjeve, ndërsa ministrat e LSDM-së do të japin dorëheqje pas shpalljes zyrtare të rezultateve zgjedhore nga KSHZ-ja. Ndërkaq ministri i Brendshëm do të mund të bëjë ndryshime të posteve udhëheqëse në 15 sektorë të ndryshëm në dikasterin e brendshëm.