KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, partitë politike nuk bien dakord për datën e zgjedhjeve
Maqedoni, partitë politike nuk bien dakord për datën e zgjedhjeve

Maqedoni, partitë politike nuk bien dakord për datën e zgjedhjeve

Ndonëse biseduan për më shumë se 12 orë nën drejtimin e komisionerit evropian për zgjerimin, Johanes Hahn, partitë kryesore politike nuk arritën të bien dakord për datën e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme që parashikojnë nxjerrjen e Maqedonisë nga një krizë e gjatë politike.
Lideri i partisë kryesore të opozitës, (SDSM, e majtë) Zoran Zaev u shpreh kundër zhvillimit të zgjedhjeve më 24 prill ashtu si ishte parashikuar më parë në një marrëveshje të arritur në muajin korrik nga katër partitë kryesore nën drejtimin e Hahn. “Pa një hartim si duhet të listave zgjedhore dhe një përmirësimi të medias, data e zgjedhjeve nuk është e pranueshme. Nëse ato do të zhvillohen më 24 prill ne nuk do të marrim pjesë dhe do të vazhdojmë luftën tonë për zgjedhje të ndershme dhe demokratike”, deklaroi Zaev në përfundim të bisedimeve.
Kryeministri i dorëhequr Gruevski ngarkoi me përgjegjësi për dështimin e bisedimeve liderin e opozitës, Zaev, i cili sipas tij gjatë 12 orëve kishte kërkuar vetëm shtyrjen e zhvillimit të zgjedhjeve. “Tre nga katër partitë ranë dakord për datën e zgjehdhjeve, vetëm një prej tyre kërkoi shtyrjen e tyre ” tha ai.
Komisioneri Hahn shprehu keqardhjen. “Sot ne nuk kemi mundur të arrijmë në një marrëveshje (…), pres padyshim që të gjitha partitë të mbeten të vendosura për zbatimin e marrëveshjes së korrikut”, shtoi Hahn duke kujtuar se Maqedonia është përballur me një situatë strategjike të vështirë. “Ne po përballemi me një krizë serioze të imigracionit”, theksoi ai duke iu referuar dhjetëra mijëra imigrantëve të larguar nga konfliktet në Lindjen e Mesme që kalojnë tranzit nga Maqedonia.
Marrëveshja e korrikut parashikonte në mënyrë të veçantë dorëheqjen e kryeministrit konservator, Nikola Gruevski, gjë që ky i fundit e bëri të premten para fillimit të bisedimeve dhe vendosjes të një qeverie teknike e ngarkuar me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dy vjet para përfundimit katër vjeçar. Megjithatë VMRO-DPMNE, e ka bërë të qartë se Gruevski do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet që po vijnë.