KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, reagime të ashpra pasi presidenti Ivanov nuk dekretoi qeverinë Zaev

Maqedoni, reagime të ashpra pasi presidenti Ivanov nuk dekretoi qeverinë Zaev

Vendimi i presidentit të Maqedonisë George Ivanov për të mos i dhënë mandatin e formimit të qeverisë Lidhjes Socialdemokrate të mbështetur nga tre parti shqiptare, ka shkaktuar reagime të ashpra tek partitë politike vendase dhe të faktori ndërkombëtar.
Udhëheqësi i socialdemokratëve Zoran Zaev e quajti vendimin grusht shteti dhe të rrezikshëm për të ardhmen e Maqedonisë. “Ivanov ka shkelur Kushtetutën dhe me këtë ka bërë grusht shteti. Ai po e çon vendin në krizë të rëndë me pasoja për të ardhmen. Ai po shkel vullnetin e qytetarëve dhe të nënshkrimet e siguruara për formimin e qeverisë. Ivanovi po pengon kalimin e pushtetit. Ai është vënë në mbrojtje të krimit të VMRO-së dhe të Nikolla Gruevskit. I bej thirrje ta tërheqë sa më parë vendimin”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Kurse partia më e madhe shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim deklaroi se vendimi i presidenti vetëm sa e thellon krizën. BDI dënon ashpër cilesimin e platformës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, si platformë të një shteti tjetër. Platforma shqiptare nuk u krijua në Tiranë. Ajo parasheh përmbylljen e çështjeve të mbetura pezull që nga marrëveshja e Ohrit. Kalimi i krizës politike në krizë ndëretnike është katastrofike për vendin, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënësi i BDI-së.
Lëvizja BESA e quajti Presidentin Ivanov si shkelësin më të madh të Kushtetutës dhe i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë sepse ky president është rrezik potencial për bashkësinë shqiptare në Maqedoni. Partia tjeter Aleanca për Shqiptaret e cilesoi Ivanovin si aktivist partiak kurse platforma shqiptare nuk cënon shtetin e as identitetin historik të asnjë etniteti të caktuar.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i komisionerit evropian Johanes Hahn i cili tha se “Presidenti duhet ta respektojë patjetër rezultatin e zgjedhjeve. Në demokraci duhet të njihet shumica parlamentare, edhe nëse nuk e do këtë. Prandaj pres që liderët politikë të lejojnë proceset demokratike të zhvillohen në interes të qytetarëve”, u shpreh Hahn.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanier, tha se rezultatet e zgjedhjeve janë bazë solide që të formohet Qeveria. Kurse raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Weigel tha se vendimi i Ivanovit është i gabuar dhe në kundërshtim me interesat e Maqedonisë. Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, i bëri thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që ta shqyrtojë vendimin sepse ai nuk përputhet me parimet demokratike. “U bëjmë thirrje fqinjëve të Maqedonisë të tregohen të përmbajtur sepse çështja është e ndjeshme” tha ambasadori.