KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, të shtunën nis “Eko Aksioni”

Maqedoni, të shtunën nis “Eko Aksioni”

Ndërsa në Shqipëri vazhdojnë polemikat lidhur me riciklimin e plehrave, një përvojë mjaft interesante vjen nga Maqedonia fqinje. Atje është ndërmarrë një nisme e re në ndihmë të riciklimit të pajisjeve të vjetra elektronike, të cilësuara si mbeturina nga më të rrezikshmet për mjedisin. Në Komunën Qendër të Shkupit do të nisë për herë të parë këtë të shtunë i ashtuquajturi “Eko Aksion”, i cili do të shtrihet më pas edhe në komuna të tjera.
Ideja është që cilido mund të dorëzojë pajisjen e vjetër elektrike apo elektronike në këmbim të një kuponi me vlerë të caktuar monetare, i cili mund të përdoret për të blerë paisje të reja elektroshtëpiake. Projekti përbën kështu një sistem efikas dhe ekonomikish të qëndrueshëm për mbledhjen, klasifikimin, riciklimin dhe trajtimin e pajisjeve të vjetra elektrike dhe elektronike. “Eko Aksioni” pritet të ndikojë në uljen e mbetjeve të rrezikshme në rrugë, vendet ilegale te grumbullimit dhe fushat e mbledhjes së mbeturinave, në ngritjen e vetëdijes publike për mbeturinat e rrezikshme dhe nevojën e grumbullimit të organizuar për riciklimin, me qëllim mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut.