KRYEFAQJA » LAJME » Maqedoni, Velanoski: Zgjedhjet e parakohshme më 5 qershor
velanoski

Maqedoni, Velanoski: Zgjedhjet e parakohshme më 5 qershor

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Velanoski nënshkroi sot vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në pajtim me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedoniosë, kryetari i kuvendit lajmëroi se zgjedhjet do të mbahen në datën 5 qershor. Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve u dorzua edhe te Komisioni Shtetëror Zgjedhor, organi që merret me organizimin e zgjedhjeve dhe te Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Velanoski shpreh bindjen se të gjitha subjektet të përfshira në procesin zgjedhor do të kontribuojnë që votimet të mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike. Si datë e mundshme e zgjedhjeve u fol fillimisht 4 prilli, por kundërshtimet e opozitës maqedonase se nuk kishte kohë për përgatitje bënë që ato të shtyhen për në qershor. Opozita vazhdon të ketë pretendime se listat zgjedhore nuk janë pastruar nga parregullsitë.