KRYEFAQJA » LAJME » Maria Sharapova ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit
sharapova

Maria Sharapova ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit

Ylli rus i tenisit, Maria Sharapova, ka dërguar vendimin për dënimin e saj për doping në gjykatën më të lartë të sportit, e cila ka rënë dakord të merret me këtë rast para Lojërave Olimpike që do të nisin në muajin gusht në Brazil. Rusia tashmë e ka përfshirë Sharapovën në ekipin e saj olimpik. Sharapova e ka dërguar rastin në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport duke kërkuar hedhjen poshtë apo edhe zvogëlimin e dënimit që thotë se ajo s’duhet të lejohet të luajë tenis për dy vjet. Dënimi ishte vendosur para pak ditësh nga Federata Ndërkombëtare e Tenisit. Kampionja e pesë turneve të mëdha të tenisit, ishte testuar pozitive për meldonium gjatë “Australian Open” në janar, diçka që ajo e kishte marrë para çdo ndeshje në këtë turne, edhe pse substanca në fjalë ishte ndaluar prej 1 janarit. Një panel prej tre personash të caktuar nga federata e tenisit, ka thënë se Sharapova nuk e ka pasur për qëllim të mashtrojë, sepse ajo nuk e ka ditur që meldonium ishte ndaluar, por megjithatë ajo mban përgjegjësi pasi doli pozitive në testet e kryera.