KRYEFAQJA » LAJME » Marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës mbahen peng nga Serbia
zgjedhjet-bisedimet-kos

Marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës mbahen peng nga Serbia

Autoritetet në Prishtinë thonë se pengesat e bëra nga Serbia janë faktori kryesor i mospranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në institucionet evropiane. Krahas mospranimit nga pesë vendet e BE-së, bllokimi i Kosovës nga Serbia ia ka bërë të pamundur asaj të jetë pjesë e një numri organizatash jo vetëm rajonale, por dhe më gjerë. Qeveria e Kosovës thotë se synimi parësor i saj janë mekanizmat evropianë, dhe me theks të posaçëm Këshilli i Evropës, një prej institucioneve që për Kosovën ka nxjerrë dhe raporte. Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, tha se me pengesën që Serbia i bën Kosovës po shkel parimet themelore të anëtarësimit në BE. Problemet me anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare janë theksuar posaçërisht me faktin e mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe kundërshtimit të fuqishëm të Serbisë në organizata ku ajo mund të ketë ndikim më të madh. Megjithëse ishte paralajmëruar prej vitesh anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës, Kosova mbeti ende jashtë tij, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së votave të mjaftueshme. Aplikimi në këtë institucion evropian nuk është bërë, sado që autoritetet në Prishtinë e patën paralajmëruar vite më parë. Abdullahu thotë: “Arsyet janë nga më të ndryshmet, por ajo çka mund të thuhet konkretisht është se ne kemi raporte të mira me Këshillin e Evropës. Nuk besoj se në të ardhmen e afërt do të jetë pengesë e madhe edhe tejkalimi i atyre sfidave që të njihemi edhe nga Këshilli i Evropës”. Por, ndërkohë, autoritetet në Prishtinë thonë se me BE-në, pavarësisht problemeve me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë arritur një marrëdhënie të re kontraktuale përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që do t’i mundësojë vendit përafrimin me BE-në duke tejkaluar dallimet e sotme brenda vetë këtij mekanizmi. Anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, dy organizatat botërore të sportit, duket sikur kanë thyer mitin e mospranimit të Kosovës në botë. Për qeverinë, Kosova ka ecur në drejtim të njohjes së saj në botë, por për opozitën, vendi nuk ka arritur të ndryshojë qasjen e institucioneve ndërkombëtare karshi tij. Pengesa e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve vazhdon të jetë marrëdhënia ende e rëndë me Serbinë. Të dyja palët janë futur në një dialog për normalizim të marrëdhënieve, dhe sado që marrëveshja e prillit e vitit 2013 parasheh që asnjëra palë të mos e pengojë tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane, një gjë është ende e qartë: Kosova nuk ka arritur të përafrohet me një numër të institucioneve evropiane.