KRYEFAQJA » LAJME » Masa për sigurinë e tregëtimit të gazit të lëngshëm
Masa për sigurinë e tregëtimit të gazit të lëngshëm

Masa për sigurinë e tregëtimit të gazit të lëngshëm

Qeveria synon të rrisi sigurinë në tregtimin e gazit të lëngshëm, pas disa aksidenteve të frikshëm të ndodhura kohët e fundit. Prej dy javësh ka hyrë në fuqi vendimi i këshillit të ministrave, i cili detajon rregullat e tregtimit të gazit të lëngshëm midis operatorëve në të gjitha hallkat. Ministri i energjisë dhe industrisë Damian Gjiknuri në një takim me përfaqësuesit e shoqërive kryesore të tregtimit me shumicë të gazit, u bëri thirrje të respektojnë rregullat e përcaktuara pasi në të kundërt do të përballen me masa të ashpra administrative. Vendimi i qeverisë lejon shitjen e bombulave të gazit në pikat e karburantit, por mbushja e tyre dhe instalimi duhet të bëhet vetëm nga shoqëritë e licensuara të tregtimit me shumicë.
Përdorimi i gazit të lëngshëm si për konsum shtëpiak, biznes apo edhe për transport, në Shqipëri ka hyrë relativisht vonë. Disa aksidente të ndodhura, më i fundit ai i Beragozhdës në 1 shkurt të këtij viti, kur nga shpërthimi i një bombole gazi në një lokal 30 persona u plagosën, u ka kujtuar autoriteteve nevojën e marrjes së masave të posaçme. Ata thonë se gazifikimi i vendit që synohet pas vënies në funksionim i Gazsjellësit Trans-Adritik, do të kërkojë thellimin e këtyre masave.