KRYEFAQJA » LAJME » Masakra e Elbasanit, Tahiri dhe Basha shkëmbejnë deklarata
Masakra e Elbasanit, Tahiri dhe Basha shkëmbejnë deklarata

Masakra e Elbasanit, Tahiri dhe Basha shkëmbejnë deklarata

Masakra e 3 shkurtit në Elbasan, ka provokuar përplasje të forta mes maxhorancës dhe opozitës. Protagonistë u bënë ministri i brendshëm Saimir Tahiri dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.
Zoti Tahiri ka zgjedhur foltoren e parlamentit për të deklaruar se kjo ngjarje është pasojë e mungesës së drejtësisë në Shqipëri, mungesë që ai la të kuptohet se është frymëzuar nga opozita aktuale në kohën kur ka qenë në pushtet. “Në një dekadë janë vrarë 8 persona, ka edhe dy tentativa për vrasje dhe vetëm dy të dënuar për gjithë këtë” tha ministri Tahiri. “E rëndësishme është që qytetarët e kuptojnë sot se kush është i angazhuar në luftën kundër krimit dhe kush bën politikë me krimin” shtoi ai.
Ndërsa kreu i PD Lulzim Basha zgjodhi selinë e partisë për të bërë një deklaratë me tone mjaftë të ashpra.
“Çdo ditë më shumë e Saimir Tahirit në krye të rendit është festë për bandat, dramë dhe tragjedi për familjet shqiptare. Ai duhet të largohet menjëherë nga detyra, sot, tani. Të largohet dhe të vihet para drejtësisë për lidhjet e tij me bandat, krimin dhe trafiqet” tha zoti Basha.
Në terren policia po punon me intensitet për të zbardhur ngjarjen e cila ka shqetësuar opinionin shqiptar.