KRYEFAQJA » LAJME » Maturantët protestojnë, Rama: Reforma e domosdoshme
rama me studentet, maturatnet, proteste, boje ne kryeministri

Maturantët protestojnë, Rama: Reforma e domosdoshme

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur sërish reformën në arsimin e lartë duke thënë se ajo është e domodoshme, kurajoze, por dhe e vështirë. Në ditën e fillimit të vitit të ri shkollor, por edhe të aplikimeve të reja për universitet, zoti Rama ka pritur në selinë e qeverisë një grup maturantësh fitues. Sipas kryeministrit pozita në të cilën ata ndodhen, dëshmon se reforma po funksionon. “Nga më të mirët, jo vetëm që askush nuk ka mbetur jashtë, por ka fituar në të paktën 4 degë” tha ai. Sipas zotit Rama reforma ka një transparencë të plotë dhe është e bazuar në konkurrencën që diktohet nga rezultatet. Por sipas tij për më tepër bën të pamundur interferencën e faktorëve të jashtëm, që kanë qenë gangrena e sistemit universitar.
Ndërsa zoti Rama bisedonte me maturanët, një grup maturantësh jo fitues po protestonin para selisë së qeverisë. Ata po shprehnin kundërshtimin e tyre ndaj sistemit të pranimit në Universitete duke e quajtur të padrejtë. Por për kryeministrin Rama, maturantët protestues “…nuk dinë për çfarë bërtasin, çfarë thonë, çfarë kërkojnë”. “Në vend që të shikojnë dhe të studiojnë të gjithë skemën dhe të marrin atë që mendojnë që meritojnë, rrinë në rrugë dhe bërtasin” tha me keqardhje, por dhe me tone kritike kryeministri. Maturantët protestues nuk u mjafuan ta shprehnin pakënaqësine e tyre me parrulla e protesta, por hodhën bojë të kuqe drejt kryeministrisë.