KRYEFAQJA » LAJME » Maxhoranca miraton reformën, opozita braktis komisionin

Maxhoranca miraton reformën, opozita braktis komisionin

Pas më shumë se 18 muaj pune intensive, Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka miratuar të martën nen për nen dhe në tërësi draftin e kësaj reforme të rëndësishme për vendin tonë. Kryetari i komisionit të kësaj reforme, FatmirXhafaj, sqaroi se është votuar drafti i majit, duke përfshirë edhe pikat për të cilat nuk ka patur dakordësi me opozitën, por sërish duke lënë të hapur mundësinë e dialogut dhe të arritjes së konsensusit. ” Kemi votur projektin kushtetues, nen për nen dhe në tërësi ashtu siç është paraqitur nga ekspertët me pak ndryshime të bëra gjatë diskutimeve” tha zoti Xhafa. Sipas tij “Ky projekt konsiderohet sot në tërësinë e tij si i gjithëpranuar nga të gjithë faktorët politikë në vend”. Kreu i komisionit tha se “Ramë dakord të lëmë mundësinë e hapur që në ditët që vijnë të ketë mundësi të reflektohen ndryshimet që mund të bëhen për disa nga këto pika të dakortësuara për zgjidhje konsensuale të mundshme”.
Zoti Xhafaj ka dhënë disa arsye se përse kjo reformë miratohet sot. “Arsyeja e parë, tha ai, është se ne do të duhet të përmbushim detyrën tonë që rrjedh nga vendimi i nëntorit 2014 të Kuvendit të Shqipërisë. Nëse nuk miratojmë këtë projekt të dakortësuar në masën 99 për qind të tij nuk mund të vijojmë me procesin tjetër që është diskutimi dhe miratimit i projektligjeve që shoqërojnë reformën. Nëse ne nuk arrijmë ta miratojmë në tërësi projektin, për ti hapur rruge projektligjeve të tjera, kjo mund të krijonte rrezikun e mosmiratimit nga BE të hapjes së ditës jeshile për hapjen e negociatave me Shqipërinë” tha zoti Xhafa.
Më herët opozita ka braktisur punimet e komisionit, si pasojë e mosdakordësisë lidhur me paragrafin 88 të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. “Maxhoranca duhet të bëjë vetëm një gjë: Të pranojë gërmën e paragrafit të 88 të Raportit Final të Komisionit të Venecias” këmbënguli bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi. Sipas tij “Ajo që thotë Komisioni i Venecias është që të katra organet kolegjiale të miratohet në mënyrë të tillë që të garantohet përfaqësimi i opozitës”.
Në mbledhjen ku u miratua nen për nen dhe në tërësi drafti i Reformës në Drejtësi, kanë qenë të pranishëm edhe ambasadori i SHBA Donald Lu si edhe ambasadorja e BE Romana Vlahutin.