KRYEFAQJA » LAJME » Mbërrijnë në presidencë emrat e ministrave të rinj

Mbërrijnë në presidencë emrat e ministrave të rinj

Emrat e katër ministrave të rinj, Xhafaj, Manastirliu, Xhaçka dhe Shalsi kanë mbërritur sot në mëngjes në presidencë. Kjo është konfirmuar nga burimet brenda presidencës, të cilat sqarojnë gjithashtu se emrat janë dërguar të hënën pasdite nga kryeministria, por për shkak të pushimit zyrtar të martën më 14 mars, urdhërat e emërim-shkarkimeve kane ardhur vetëm sot në presidencë. Me shumë gjasa, emrat e ministrave do të presin një javë për të marrë dekretin e presidentit Bujar Nishani, i cili ka një afat 7 ditor për ti miratuar ato. Gjithsesi, pas dekreteve të presidentit, mbetet në dorë të Kuvendit t’i shqyrtojë brenda 10 ditëve prej momentit kur Nishani hedh firmën e tij. Por burimet pranë zyrës së Presidentit të Republikës kanë pohuar për mediat se pritet që katër kandidaturat do t’i nënshtrohen një proçesi verifikimi për figurën e secilit. Verifikim ky që pritet të kryhet nga institucionet e inteligjencës dhe që sipas ligjit është brenda tagrit të Presidentit të Republikës për ta bërë. Po sipas të njëjtave burimeve, vetëm pas verifikimit, Nishani do të vendosë për dekretimet ose jo të ministrave. Ndërkohë po sot, kreu i shtetit ka nisur edhe një vizitë zyrtare dy-ditore në Azerbajxhan, ku do të marrë pjesë në Forumin e 5-të Global të Bakusë, çka do të thotë se emrat e ministrave të rinj nuk do të jenë për miratim në kuvend në seancën e së enjtes. Vetëm pas kthimit të Presidentit nga Baku mbetet për tu parë nëse Nishani do pres afatin e fundit për dekretimet apo do ti firmos menjëherë pas mbërritjes në zyrë.