KRYEFAQJA » LAJME » Mbërrin në Presidencë ligji për ndryshimet kushtetuese
nishani

Mbërrin në Presidencë ligji për ndryshimet kushtetuese

Ligji për ndryshimet kushtetuese i miratuar me konsensus në seancën plenare të 21 korrikut, mbërrin në presidencë. Në Kushtetutë, parashikohen qartë afatet kohore, që kreu i shtetit ka në dispozicion për dekretimin ose jo të një ligji të miratuar në Kuvend. Duke iu referuar nenit 84 të Kushtetutës, presidenti i Republikës ka një afat prej 21 ditësh për të dekretuar ligjin e miratuar që nga momenti i paraqitjes së tij. Por nëse dikur, ligjet e dekretuara nga kreu i shtetit hynin në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare, tani botohen menjëherë në mënyrë elektronike dhe hyjnë menjëherë në fuqi. Pavarësisht afatit kushtetues që ka në dispozicion, të gjitha gjasat janë që presidenti Nishani t’i dekretojë më shpejt ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtesi duke marrë në konsideratë këtu dy fakte: miratimin me unanimitet të 140 deputetëve, si dhe mbështetjen e madhe që kjo reformë pati nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Pas hyrjes në fuqi, paketa e ndryshimeve kushtetutese pritet të nisë zbatimin e saj gjatë muajit shtator, me ngritjen e strukturës së parë, asaj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.