KRYEFAQJA » LAJME » Mbipopullime në burgjet e vendit
burgjet ne vend

Mbipopullime në burgjet e vendit

5700 është aktualisht numri i të dënuarve në qelitë e paraburgimit dhe burgimit në vendin tonë, ndërsa kapaciteti i tyre është 5400. U mendua se me amnistinë e kryer në janar të këtij viti mbipopullimi në burgje do të merrte një zgjidhje por dy muaj më pas në qelitë janë të tej mbushura. Zëvendës drejtori i burgjeve Bledar Skënderaj mendon se ka një zgjidhje dhe ajo është aplikimi i dënimeve alternative.
Shërbimi i Provës është institucioni që mban në mbikqyrje të gjithë ata shkelës ligji që gjykatat në vend japin një tjetër dënim nga ai i privimit të lirisë. Për drejtorin Ilir Qafa numri i të ndëshkuarve me dënimet alternative është sa gjysma e asaj që gjykatat duhet të aplikojnë.
Shqetësim për Qafën janë edhe dënimet që gjykatat japin për të miturit, që në masë të madhe duhet të jenë ato alternative.
Por sa i kushton buxhetit të shtetit trajtimi i një të burgosuri dhe cfarë kostosh ekonomike minimizohen në rast se gjykatat do të dëgjojnë alarmin e mungesës së dënimeve alternative. Pak ditë më parë edhe Prokurori i Përgjithsëm Adriatik Llala ndau të njëjtin shqetësim ku nëpërmjet një qarkoreje i kërkoi vartësve që të tregohen të kujdesshëm kur kërkojnë masën e sigurisë “arrest me burg” për personat që kanë nën hetim.