KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » MBISHKRIMET GREKE NË ILIRI. CABANE: GRUAJA NË ILIRI, MË E PAVARUR SE NË ATHINË
mbishkrimet greke ne iliri, greqia lashte, iliria, historiane, 1700

MBISHKRIMET GREKE NË ILIRI. CABANE: GRUAJA NË ILIRI, MË E PAVARUR SE NË ATHINË

Gruaja në Ilirinë e Jugut ka qenë madhore dhe e pavarur nga bota mashkullore, ndryshe nga gruaja në Athinën e lashtë, që kishte si tutorë meshkujt e familjes. Këtë zbulesë interesante bën profesori francez Pierre Cabane, pasi ka hulmtuar 1700 mbishkrime greke në Ilirinë e Jugut dhe në Epir që prej shek. V para Krishtit, e që tashmë janë përmbledhur në një korpus me 4 vëllime, me bashkëautor edhe profesorin shqiptar Faik Drini, studime të paraqitura edhe në një prezantim në Tiranë. Profesor Cabane ka rreth 40 vite që studion dhe boton mbi antikitetin e Ilirisë e ka qenë i pari studiues i huaj që ka mundur të hyjë në Shqipëri edhe para viteve ’90. Por cila është zbulesa më e rëndësishme sipas profesor Cabanes?

Gjëja më e rëndësishme që kam zbuluar nga këto mbishkrime është vendi i gruas në shoqërinë antike, që këtu tek ju paraqitet krejt ndryshe nga Greqia Qendrore dhe ajo e Veriut. Gruaja në Iliri është madhore e nuk ka nevojë për një tutor. Ky është një origjinalitet interesant, sepse në Athinë në këtë periudhë gruaja është në tutelën e burrit, babait. Kjo dukuri vërehet sidomos në Butrint, ku gruaja i jepte lirinë një skllavi pa asnjë ndërhyrje mashkullore. Kjo pavarësi e gruas në Iliri ka ndodhur edhe sepse burri shpeshherë mungonte në familje. Merrej me jetën pastorale, që e detyronte të lëvizte.”

Po popullsia, përbërja e saj si është?

Ka popullsi lokale. Në mbishkrimet mortore në Apolloni zbulojmë një popullsi të përzier. Emrat janë të përzier. Shohim shumë shpesh një personazh me emër ilir edhe pse me origjinë është grek apo e kundërta. Emrat ilirë përdoren shumë mes banorëve të zonës. Packa se kultura dominante dhe gjuha e shkruar është ajo greke e kolonive greke të ngritura në këtë zonë.”