KRYEFAQJA » LAJME » Mbjellja e kanabisit, opozita replikon me qeverinë
Mbjellja e kanabisit, opozita replikon me qeverinë

Mbjellja e kanabisit, opozita replikon me qeverinë

Replikat e ashpra mes maxhorancës dhe opozitës lidhur me fenomenin e mbjelljes së kanabisit, kanë njohur të premten një zhvillim të ri. Fillimisht ishte Policia e Shtetit dhe Guardia di Financa, të cilat në një konferencë të përbashkët për shtyp deklaruan bilancin e punës së tyre. Sipas shifrave gjatë këtij viti në Shqipëri është asgjësuar një sasi kanabisi tre herë më shumë se në vitin 2015. Gjithnjë sipas shifrave nga 800 mijë bimë që u asgjësuan vjet, këtë vit janë asgjësuar 2 milion e 400 mijë bimë. Zyrtarët shqiptarë dhe ata italianë thanë se se gjatë operacioneve janë evidentuar 700 parcela më shumë se një vit më parë, por shkatërrimi i tyre është në masën 99.8 për qind.
Por opozita ka ofruar shifra të tjera. Sipas kreut të saj Lulzim Basha në 17 përqind të territorit të vendit është 5 fishuar kultivimi i kanabisit në një vit. “Po në 83 përqind tjetër të territorit te Shqiperise?!” pyet ai. Gjithnjë sipas kreut të opozitës sipërfaqja e mbjellë me drogë është rritur nga 44.7 ha vitin e kaluar në 213.7 ha këtë vit. Opozita këmbëngul se “Droga e 5-fishuar është vepër e Al Kaponeve në qeveri, në bashkëpunim të ngushtë me kartelin e drogës, është alternativa e Edi Ramës”. “Në gjithë këtë proces nuk kemi asnjë trafikant të arrestuar e të proceduar por veç fakir-fukarenjve që punojnë si skllevër bashkë me fëmijet e tyre në arat e kanabisit” vazhdon zoti Basha. Ai këmbëngul se “Shteti ligjor në Shqipëri ka rënë, bashkë me të çdo garanci për lirinë dhe mirëqenien e çdo shqiptari”.
Opozita kërkoi dorëheqjen e ministrit Tahiri, por ky i fundit në një deklarim të tij nënvizoi se “Sipërfaqja e monitoruar në 2016 është 506 hektar, prej të cilave 213 të kultivuara me kanabis. Në 2013, sipërfaqja e monitoruar ishte 361 hektar, prej të cilave 323 hektar të kultivuara (nga të cilat 319 ishin në Lazarat)” shkruan ai.