KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Mbledhja e qeverisë britanike
tereza mei, kryeministrja angleze, qeveria britanike, mbledhje

Mbledhja e qeverisë britanike

Britania e Madhe duhet të fokusohet mbi mundësirat e ofertës e të qënit jashtë Bashkimit Europian. Kryeministrja britanike Tereza Mei mblodhi sot kabinetin e saj për të diskutar zhvillimet që pas referendumit të qershorit. Mei ritheksoi se vendi nuk do të kishte një referendum të dytë për Breksit, ndërsa bëri të ditur se bisedimet me pjesën tjetër të BE-së për daljen e Britanisë nga blloku nuk do të fillojnë këtë vit. Në komentet e bëra në fillim të takimit, ku u lejuan kamerat, zonja Mei u tha ministrave të saj se qeveria ishte e qartë se Breksit do të thotë Breksit. “ Ne do të shohim hapat që duhet të marrim por gjithashtu edhe mundësirat që janë të disponueshme tashmë që Britania merr një rol të ri në botë.”- u shpreh ajo. Kryeministrja britanike theksoi se qeveria që ajo drejton nuk do të kërkojë aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës deri në fillim të vitit 2017. Nga ai moment, diskutimet mbi kohën e daljes së Britanisë nga blloku përmbyllen në një afat kohor dyvjeçar. Mbretëria e Bashkuar votoi për të dalë nga Bashkimi Europian në një referendum që u mbajt në 23 qershor, dhe Tereza Mei, një mbështetëse e qëndrimit të vendit në bllok, u bë kryeministrja e re e Britanisë, duke zëvendësuar Dejvid Kameron që u dorëhoq. Dy muaj pas referendumit, mbeten akoma të paqarta marrëdhënia që Britania do të ketë me BE-në pas daljes përsa i përket aksesit në tregun e brendshëm europian dhe detyrimeve në lidhje me lirinë e lëvizjes.