KRYEFAQJA » LAJME » Mbrojtja sqaron Nishanin: Buxheti ushtarak në rritje
Mbrojtja sqaron Nishanin: Buxheti i mbrojtjes në rritje

Mbrojtja sqaron Nishanin: Buxheti ushtarak në rritje

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas shqetësimit të shprehur nga presidenti Nishani sipas tij lidhur me buxhetin e ulët të këtij dikasteri. Në një deklaratë të saj ministria sqaron se ajo “vazhdon të ndjekë praktikat e mëparshme ku nuk rezulton të jetë konsultuar ndonjëherë institucioni i Presidentit kur flitet për buxhetin”.
Ministria e Mbrojtjes sqaron se “Buxheti i planifikuar për vitin 2017 përfaqëson 1.1 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, ku përfshihen fondi i pagave dhe pensioneve, shpenzime për misione, investime, pensione të ish-ushtarakëve. Ky buxhet në asnjë rast nuk prek arritjen e objektivave tona në fushën e mbrojtjes dhe aq më pak detyrimet kushtetuese dhe angazhimet në NATO” shkruan ministria.
“Nga negocimi i suksesshëm me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe Italinë, që në 3-mujorin e parë të vitit në vazhdim, FARSH do të jetë 100% i pajisur me armatim të standardeve të NATO-s, objektiv ky që më parë ishte i përcaktuar për t’u arritur në vitin 2019” bën të ditur ministria. Sipas saj mjetet e rënda të transportit të planifikuara për t’u blerë me paratë e taksapaguesve shqiptarë përgjatë 10 viteve në vazhdim (PAZH 2016-2025), do të mundësohen pa pagesë, falë bashkëpunimit të sipërmendur duke filluar nga janari i 2017.
Ministria shqiptare e mbrojtjes bën të ditur se “Për vitin 2017, FARSH do të jenë prezente në të gjitha misionet e NATO-s kudo në botë, në dyfishimin e personelit të deklaruar më parë në misionin “RSM” në Afganistan, në dyfishimin e personelit të deklaruar më parë në misionin KFOR, për herë të parë në një mision detar (në detin Egje), si dhe në mbrojtjen direkte të kufijve lindorë të Aleancës”. Ministria e Mbrojtjes përsërit se “i ka të gjitha kapacitet për të hartuar buxhetin e saj dhe vazhdon të ndjekë praktikat e mëparshme ku nuk rezulton të jetë konsultuar ndonjëherë institucioni i Presidentit kur flitet për buxhetin”.