KRYEFAQJA » LAJME » Takimi Rama – Basha shpresohet më 1 qershor
Rama sërish letër Bashës, "Koha nuk pret, sfida është historike"

Takimi Rama – Basha shpresohet më 1 qershor

Takimi i shumëpërfolur mes kreut të maxhorancës dhe kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, tashmë mund të thuhet se është zyrtarizuar. Ai pritet të mbahet më 1 qershor, ndonëse data nuk është vendosur përfundimisht. Kjo është bërë e ditur pas një komunikimi intensiv të premten mes shefeve të kabinetit të zotit Rama dhe zotit Basha. Kryeministri Rama është shprehur i gatshëm që të takoheshin ditën e shtunë paradite, por mësohet se zoti Basha e ka patur të pamundur për shkak të një axhende ndërkombëtare të konfirmuar më parë. Kreu i opozitës është shprehur i gatshëm për 1 qershor.
Sipas letërkëmbimit të publikuar nga të dy palët, mësohet se vendi i takimi midis zotit Rama dhe zotit Basha, mund të jetë Salla e Hartave, në godinën e Këshillit të Ministrave. Zoti Rama do të jetë i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, zoti Fatmir Xhafaj, si edhe nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, zoti Bashkim Fino. “Zoti Basha është mëse i mirëpritur të vijë i shoqëruar sipas dëshirës së tij” shkruhet në letër.
Tema të bisedës sipas mesazhit të lëshuar nga kreu i qeverisë do të jenë çështjet e Reformës në Drejtësi, ato të Reformës Zgjedhore dhe çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët.
Shpresohet që takimi Rama – Basha të jetë një hap i nevojshëm jo vetëm drejt konsensusit për miratimin e Reformës në Drejtësi, por edhe qetësimit të klimës politike në vend e cila duket vërtetë e acaruar. Për një takim të nivelit të tillë palët janë shprehur prej afro një viti.