KRYEFAQJA » LAJME » Më 1 shtator, luftë frontale kundër informalitetit
Më 1 shtator, luftë frontale kundër informalitetit

Më 1 shtator, luftë frontale kundër informalitetit

Më 1 shtator në Shqipëri qeveria nis operacionin e paralajmëruar prej kohësh kundër informalitetit, apo siç është cilësuar nga vetë kryeministri Rama “lufta frontale kundër informalitetit”. Dy vjet pas ardhjes në pushtet, zoti Rama e konsideron si “operacionin më i rëndësishëm i këtij mandati”. Kjo pasi qeveria e tij duket se është vënë në vështirësi, veç të tjerash edhe për shkak të nivelit të lartë të informalitetit në ekonomi. Kryeministri ka deklaruar se “Do të jetë jo luftë kundër biznesit, por aleancë me biznesin që paguan taksat dhe në mbrojtje të konsumatorit”. Zoti Rama e ka quajtur pagesën e tatimeve dhe taksave si një çështje të madhe të civilizimit demokratik për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Duke folur në detaje rreth operacionit një ditë para nisjes së tij, kreu i qeverisë bëri të ditur se 600 grupe pune do të jenë të shpërndara në të gjithë territorin e vendit ku do të ushtrojnë kontrolle të imtësishëm. Ndërkohë zoti Rama ka dalë edhe në mbrojtje të qytetarëve. “Mos lejoni t’ju vjedhin sy për sy. Nëse merrni ushqimet, ilaçet dhe nuk ju japin kuponi ikni pa paguar” këshilloi ai.
Por deklarimet e kryeministrit socialist shihen jo vetë me mosbesim nga opozita e djathtë shqiptare. Kreu i saj Lulzim Basha, deklaroi se aksioni do të godasë të pamundurit dhe do të favorizojë klientelën e qeverisë. “Kur predikon kundër informalitetit përfituesi më i madh prej tij, çorba është e prishur. Kërbaç për të pamundurit, shkelje syri për miqtë! Kjo është e vetmja që pritet prej tij” shkruan zoti Basha në Fejsbuk.
Qarqet e biznesit shqiptar përgjithësisht e kanë mbështetur këtë iniciativë të qeverisë. Por një pjesë e tyre deklarojnë se qeveria duhet të jetë zerioze dhe të veprojë jo me aksione, por gjatë gjithë vitit.
Sipas të dhënave që ka publikuar qeveria shqiptare, por edhe burime të tjera, një e treta e bizneseve në Shqipëri, nuk janë regjistruar, ndërsa gjysma e atyre që kanë kasa, pothuajse nuk i përdorin ato.  Një situatë e tille e çon nivelin e informalitetit në ekonomi në shifra alarmante, deri 60 për qind. Pak kohë më parë qeveria u detyrua të rishkonte buxhetin e këtij viti dhe të planifikonte ulje të shpenzimeve për shkak të mosrealizimeve në mbledhjen e të ardhurave. Opozita e akuzoi jo vetëm paaftësi, por edhe aplikim të politikave të gabuara dhe nivel të lartë korrupsioni.