KRYEFAQJA » LAJME » Ministri i drejtësisë Nasip Naço ka dhënë dorëheqjen
Naco jep doreheqjen?

Ministri i drejtësisë Nasip Naço ka dhënë dorëheqjen

(E Përditësuar) Ministri i drejtësisë Nasip Naço, ka dhënë dorëheqje. Lajmi është konfirmuar edhe zyrtarisht nga kreu i LSI Ilir Meta pas një takimi në selinë e qeverisë me kryeministrin Rama. Vetë ky i fundit nuk ka bërë komente rreth dorëheqjes.
Nuk ka hollësi rreth arsyeve që e kanë shtyrë ministrin e drejtësisë të marri këtë vendim. Edhe kreu i LSI Ilir Meta nuk u shpreh qartë në deklaratën e tij. “Më duhet të vlerësoj aktin e dorëheqjes së ministrit të Drejtësisë si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, qytetar. Ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe reformave. Me këtë akt ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe më të gjerë dhe në një nivel të ri për të çuar përpara të gjitha reformat, sidomos reformës në drejtësi” u tha zoti Meta gazetarëve.
Ndërkohë kanë filluar komentet, por dhe hamendjet rreth emrit që do të zëvëndësojë zotin Naço.
Lajmi i dorëheqjes vjen në një kohë kur zoti Naço ishte angazhuar në reformën në drejtësi, e cila mes polemikave të shumta mes maxhorancës dhe opozitës po shkon drejt përfundimit.
Nasip Naço është një nga figurat kryesore të LSI, partia e dytë më e madhe e së majtës shqiptare. Në legjislaturën e kaluar, kur LSI ishte në koalicion me PD, ai ka qenë nënkryetari parlamentit shqiptar dhe ministër e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës. Që prej dy vjetësh zoti Naço mbante postin e ministrit të drejtësisë.