KRYEFAQJA » LAJME » Mediat ndërkombëtare, për fitoren e Shqipërisë

Mediat ndërkombëtare, për fitoren e Shqipërisë

Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë fitores së Shqipërisë ndaj Lihtenshtejnit, si dhe faktit, që skuadra jonë ndodhet në krye të renditjes së grupit G me 6 pikë të plota pas dy ndeshjeve të para të luajtura. Kuqezinjtë kanë lënë pas Italinë dhe Spanjën dy skuadrat pretendente për t’u kualifikuar për në finalet e boërorit Rusi 2018. Në Itali, “Gazeta dello Sport”, shkruan në faqen e parë “Shqipëria e de Biazit në krye” si dhe për ndeshjen Itali-Spanjë, “Bufon gabon, De Rosi jo”. Edhe “Tuttosport” ka vlerësuar fitoren e kuqezinjve. Ndërsa në Spanjë, gjigandi mediatik AS shkruan: “Shqipëria fiton dhe vazhdon të dominojë grupin e Spanjës”. Një analizë e veçantë i është kushtuar lojës së kuqezinjve kjo për faktin se të dielën Spanja luan ndaj Shqipërisë. Edhe e përditshmja tjetër spanjolle, “Marca”, e ka quajtur si të çuditshëm faktin se Shqipëria ndodhet në krye të grupit G, ku bën pjesë edhe Spanja.
Ndërsa mediat serbe i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë koreve anti-serbe në ndeshjen Kosovë-Kroaci, të luajtur të enjten në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”. “Kurir” i ka quajtur të turpshme koret e kroatëve ndaj serbëve që kanë kënduar në shkallët e stadiumit “Vritini serbët”. Ndërsa media tjetër serbe B92 ka kërkuar edhe dënim për mbështetjen e vendit pritës. Ata kanë thënë se Federata Kroate e Futbollit dhe ekipi duhet të dënohen sërish.