KRYEFAQJA » LAJME » Mediat: PD refuzon Planin Njuland
Mediat: PD refuzon Planin Njuland

Mediat: PD refuzon Planin Njuland

Në Tiranë media të ndryshme po njoftojnë se PD e opozitës nuk e ka pranuar propozimin e SHBA dhe BE lidhur me Reformën në Drejtësi, i bërë me rastin e vizitës së ndihmës sekretares amerikane të shtetit Njuland të dielën në Tiranë. PD ka paraqitur një propozim tjetër. Sipas tij ndërkombëtarët përjashtohen nga vetingu. Mediat publikojnë me këtë rast edhe faksimile nga dokumenti me propozimet e PD. Ndërkaq ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, citohet të ketë thënë se “jemi të zhgënjyer me përgjigjen e zotit Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi”.
Megjithatë rreth kësaj çështjeje ende nuk ka reagime publike nga palët. Pak ditë më parë kreu i PS Edi Rama tha pas takimit me zonjën Njuland, se është i hapur për çdo kompromis që nuk e cënon reformën, duke lënë të kuptohet se mbështeste propozimin. Ndërkaq ai shprehu habinë se përse PD nuk e kishte pranuar menjëherë propozimin amerikan.
Këto zhvillime pritet të aktivizojnë skema të tjera drejt miratimit të Reformës në Drejtësi. Me parë shpresohej se palët do të arrinin konsensus, por dështimi i tij solli ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, e cila duket se po rezulton e pasukseshme. Ka shumë mundësi që më 21 korrik në parlament projekti të hidhet në votim, ose ajo që kryeministri Rama e ka cilësuar plani c i miratimit të reformës. Ndërkohë pritet të forcohen më tej zërat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ka patur propozime që bashkë me zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohej edhe një referendum për reformën. Ndërsa prej ditësh ka nisur edhe nënshkrimi elektronik i një peticioni për zgjedhjen e presidentit nga populli, i inicuar nga disa deputetë socialistë kundërshtarë të kryetarit të tyre. Situata duket se komplikohet pasi vitin e ardhshëm, kur sipas ligjit duhet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, do të duhet të zhvillohen edhe zgjedhjet për presidentin e ri të vendit. Presidenti aktual Bujar Nishani, e ka shpallur më shumë se një herë ambicjen e tij për të rikandiduar.