KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Mekë: Numri i të vdekurve mbi 700
Mekë: Numri i të vdekurve mbi 700

Mekë: Numri i të vdekurve mbi 700

Pelegrinazhi në Mekë është larë me gjak. Mendohet se 710 persona të kenë humbur jetën si shkak i shkeljes së njëri-tjetrit në Mina, qytet i shenjtë rreth 5 kilometra larg Mekës, në ditën e parë të Festës së Sakrificës. 800 persona të tjerë rezultojnë të plagosur. Të paktën 400 autoambulanca dhe 4.000 persona të ndihmës së shpejtë kanë ndërhyrë në orët e fundit. Disa të plagosur të tjerë janë shpëtuar nga helikopterët.

Bëhet fjalë për tragjedinë më të madhe në 25 vitet e fundit. Në vitin 1990 u shënua aksidenti më i rëndë kur 1.426 persona vdiqën nga mungesa e ajrit ose të shtypura nga turma në tunelin që bashkon Mekën me Minën, ku bëhet riti i vrasjes së djallit me gurë. Dy milionë besimtarë janë që prej disa ditësh në Arabinë Saudite për Haxh, pelegrinazhi ritual në Mekë.

Tragjedia ndjek atë të dy javëve më parë kur një vinç ra mbi besimtarët duke shkaktuar vdekjen e 107 personave dhe plagosjen e 280 të tjerëve. Vinçi ndodhej pranë xhamisë kryesore në të cilën po bëhej një punë e madhe ristrukturimi. Shumë incidente të ngjashëm kanë ndodhur në vitet e fundit në të njëjtin vend gjatë pelegrinazhit.

Në internet qarkullojnë video të pakontrolluara që shfaqin pamje të trupave të viktimave të mbuluara me beze të bardha.