KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Merkel kritikon Rusinë për vendet lindore
merkel

Merkel kritikon Rusinë për vendet lindore

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë gërryer besimin me Perëndimin dhe kanë trazuar shtetet e NATO-s në Evropën Lindore. “Nëse me fjalë dhe vepra vihen në pikëpyetje vlefshmëria e ligjit ndërkombëtar dhe paprekshmëria e kufijve, atëherë besimi natyrisht se humb”, tha Merkel para Parlamentit gjerman. Ajo i bëri komentet në prag të samitit të NATO-s, më 8 dhe 9 korik në Varshavë, ku veprimet e Moskës në Evropën Lindore do të jenë në krye të agjendës. Marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë kanë rënë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska në vitin 2014 dhe rolit të Moskës në konfliktin ushtarak në lindje të Ukrainës. Merkel tha se liderët e NATO-s në Varshavë duhet t’u ofrojnë siguri shteteve baltike dhe Polonisë. Merkel tha po ashtu se Perëndimi duhet të vazhdojë dialogun me Rusinë. NATO dhe Rusia kanë rënë dakord që të mblidhen për bisedime më 13 korrik, në selinë e NATO-s në Bruksel.