KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Merkel në Bundestag: Britania nuk mund të lërë bllokun dhe të mbajë privilegjet europiane
merkel

Merkel në Bundestag: Britania nuk mund të lërë bllokun dhe të mbajë privilegjet europiane

Kancelarja Merkel tha sot se kur Britania të fillojë negociatat për daljen e saj nga blloku europian, nuk do të mund të zgjedhë pjesët e Bashkimit Europian që dëshiron, si tregu i vetëm, pa pranuar parimet europiane, siç është ai i lëvizjes së lirë. Në një fjalim para ligjvënësve në Bundestag, para se të nisej për në Bruksel për samitin e krerëve të BE-së, zonja Merkel u shpreh se Londra nuk do të marrë një trajtim të veçantë. “Ne do të sigurojmë që negociatat të mos zhvillohen sipas parimit të përzgjedhjes. Çdokush që largohet nga kjo familje, nuk mund të mendojë se mund të heqë dorë nga përgjegjësitë duke mbajtur, tha ajo, në një deklaratë shumë më të ashpër se ato që ka dhënë ditët e fundit. Sipas Merkel, Norvegjia, e cila nuk është një vend anëtar i BE-së ka akses të lirë në tregun e vetëm, por kjo për arsye sepse mes të tjerash, ajo pranon parimet e migrimit të lirë nga BE-ja. E njëjta gjë, duhet të jetë e vlefshme dhe për Britaninë. Kancelarja gjermane gjithashtu theksoi se vendi i saj është i vendosur të mbajë marrëdhënie të ngushta me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa sqaroi se gjatë kohës së negociatave për daljen e këtij vendi nga BE-ja, ai do të konsiderohet anëtar i BE-së dhe duhet të përmbushë të gjitha të drejtat e detyrimet përkatëse deri në ndarjen zyrtare.