KRYEFAQJA » LAJME » Merkel: Plotësimi i prioriteteve duhet të vazhdojë; Rama: Europa nuk duhet të lekundet
Merkel-Rama në konferencë, Shqipëria ka bërë përparime, por plotësimi i prioriteteve duhet të vazhdojë

Merkel: Plotësimi i prioriteteve duhet të vazhdojë; Rama: Europa nuk duhet të lekundet

Gjermania vlerëson se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm për reformat, por duhet të vazhdojë të plotësojë pesë prioritetet për integrimin e saj në BE. Deklarata është bërë nga kancelarja gjermane Angela Merkel e cila më 28 nëntor, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë ka ftuar në Berlin kryeministrin Shqiptar Edi Rama.
Pikërisht në këtë ditë zonja Merkel ka deklaruar se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm për reformat. Ajo tha se RFGJ ka mbështetur Shqipërinë dhe po pret që ajo të plotësojë 5 prioritete për integrimin në BE të vëna nga KE. Në thelb kushtet kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Ne do të përpiqemi të flasim me njeri-tjetrin më hollësisht si mund të ndihmojë Gjermania më tej Shqipërinë” tha zonja Merkel.
Për kryeministrin Rama, Shqipëria nuk ka shpërdoruar për asnjë çast besimin e Gjermanisë ndërsa lidhur me integrimin nuk kërkon asgjë të pamerituar. Duke cilësuar se vullneti shqiptar për perëndimin është i hershëm, zoti Rama tha se Shqipëria dhe rajoni ka nevojë për BE, sa BE ka nevoje për ta. Kryeministri shqiptar përsëriti se vendi mbështet dhe mirekupton kushtet e BE, por tha se BE nuk duhet të përfitojë nga prirjet europiane të Ballkanit. “Ndryshimi në rajon lidhet me tërheqjen që Europa ka për ne. Por këtë situatë miqtë tanë europianë nuk duhet ta marrin si të mirëqënë. Sepse në rajonin tonë veprojnë edhe elementë të tretë, të cilët mund të përfitojnë në lëkundjen e parë” paralajmëroi zoti Rama.
Pas konferencës për shtyp zonja Merkel dhe zoti Rama zhvilluan takimin dypalësh. Zoti Rama është shoqëruar nga ministrat Bushati dhe Gjosha, ndërsa zonja Merkel nga këshilltari i politikës së jashtme Hausgen, këshilltari për mediat Seibert dhe ai i çështjeve europiane Karsepius.

Para Mbrapa
rama-dhe-merkel-2 
rama-dhe-merkel-3 
rama-dhe-merkel-4

rama-dhe-merkel-1
rama-dhe-merkel-5
rama-dhe-merkel-6 
Para Mbrapa